Sulmet ajrore me raketa në Siri kundër regjimit të Bashar Al Assad janë përshëndetur nga pjesa më e madhe e fuqive botërore. Janë 11 shtete që mbështesin sulmet në Siri. Përveç 3 vendeve sulmuese, në krah të tyre renditen edhe Gjermania, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Kanadaja, Japonia, Australia dhe Izraeli.

Ndërsa 4 shtete të tjera kanë dënuar sulmet me raketa ndaj bazave të armëve kimike në Siri. Këto shtete janë vet regjimi i Assad, Rusia, Irani dhe së fundmi Kina. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës tha se shteti i saj ka kundërshtuar vazhdimisht përdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çdo ndërhyrje ushtarake që shkel parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Këshillit të Sigurimit në OKB.

SHBA, Franca dhe Britania e Madhe nisën ofensivën ajrore gjatë natës, duke goditur disa baza në Siri. Qëllimi, thanë shtetet Perëndimore, është të shkatërrohen vendet ku mbahen armët kimike. Zyrtarë ushtarakë amerikanë thanë se u lëshuan 100 raketa në objektivat e synuara. Ndërsa Rusia, aleate e Sirisë, i dënoi këtë sulme, kurse Presidenti sirian tha se do të dalin më të fortë nga kjo situatë. Edhe Shqipëria ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit për të shkatërruar armët kimike.

/tvklan.al