Irlanda bëhet vendi i parë i cili do të aplikojë masat më të ashpra të ngjashme me bllokimin e Pranverës. Ministrat e kabinetit kanë rënë dakord që do të zbatohen masat e nivelit të katërt për të frenuar rritjen e infektimeve.

Kufizimet do të zgjasin për gjashtë javë. Sipas rregullave, qytetarëve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi. Po ashtu, konferencat, mbledhjet, ceremonitë fetare, dasmat dhe ato mortore janë të ndaluara. 

Shumë dyqane dhe parukeri do të mbyllen. Baret dhe restorantet do të jenë në gjendje të ofrojnë vetëm një shërbim nëpërmjet telefonit. Ndërsa shkollat, kopshtet, çerdhet dhe supermaketet do të vijojnë që të mbeten të hapura.

Megjithëse Irlanda ka regjistruar numrin rekord më të lartë të rasteve ditore gjatë javëve të fundit, ajo ka vdekjet më të ulëta në krahasim me vendet e tjera europiane. Aktualisht ky vend numëron mbi 50 mijë të infektuar dhe 1852 vdekje.

Në Çeki ushtria ka dërguar mbi 160 ton furnizime me ushqime dhe medikamente në spitalin më të madh të kryeqytetit. Ky vend ka shkallën më të lartë të infeksionit.

Bllokimi i pjesshëm deri në datën 3 Nëntor ka bërë që njerëzit të ngrihen në protesta. Një pjesë e madhe e tyre kanë kërkuar që të hapen bizneset pasi një tjetër bllokim mund t’i cojë ata drejt falimentimit. Ata kanë shkaktuar kaos duke përdorur mjete të forta ndaj policisë. Gjithashtu, Lombardia ka propozuar mbylljen e qendrave tregtare të mëdha dhe të mesme, gjatë fundjavës, me përjashtim të supermarketeve.

Italia shënoi këtë të martë 9338 raste të reja të prekurish dhe 73 vdekje. Shqetësimin për shtimin e ritmeve të infektimeve në Europë e shprehu edhe OBSH, ku vetëm në një javë në këtë kontinent u shënuan mbi 900 mijë infektime të reja. Numri i të prekurve në të gjithë globin ka arritur në 40.6 milionë, mes të cilëve më shumë se 1.1 milionë janë viktima.

Klan Plus