Shteti Islamik mori përsipër sulmin kamikaz në qytetin bavarez Ansbach, në Gjermani, ku 27 – vjeçari Mohamed Delel u vetëhodh në erë pranë një sheshi ku po zhvillohej një festival veror, duke plagosur 12 persona, 3 prej tyre në gjendje të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga agjencia zyrtare xhihadiste “Amaw News”, e cila tha se sulmi u krye nga një ushtar i kalifatit.

Sulmi kamikaz ndodhi rreth orës 22:00 të së dielës, pranë një sheshi ku ishin mbledhur më shumë se 2 500 persona, për të marrë pjesë në një festë verore. Mohamed Delel nuk ishte lënë të hynte në këtë aktivitet nga policia.

Më herët, në telefonin dhe laptopin e kamikazit sirian, u gjetën video, ku ky i fundit i shpreh besnikëri kreut të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi. Zyrtarët e policisë bavareze thanë se në video, kamikazi kërcënon se do të kryejë një atentat në emër të Allahut ndaj gjermanëve, pasi i konsideron një kërcënim për islamin.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Hoakim Herman, njoftoi se emigrantit i ishte refuzuar e drejta e azilit në 2014-n dhe se duhet të deportohej në Bullgari, ku e kishte fituar statusin e azilantit.

Pak orë para shpërthimit kamikaz, një tjetër emigrant sirian u arrestua nga policia në Rojtlingen, pranë Shtutgardit, pasi vrau me hanxhar një grua dhe plagosi 2 të persona te tjerë.

Tv Klan