Për kryeministrin Edi Rama revolucioni dixhital është në drejtimin e duhur, por ende nuk ka përfunduar. Ai theksoi gjatë një konference këtë të martë se brenda mandatit të tretë, Shqipëria do të jetë një shtet dixhital, ku qytetari do të ketë mundësi t’i kryejë të gjitha shërbimet përmes telefonit. Sipas tij, kjo shmang korrupsionin në sportelet e administratës.

“Edhe në shërbimet dixhitale, edhe në shërbimet e procesit të revolucionit dixhital, në krijimin e një shteti dixhital duhet ende kohë. Jemi ende në një punë që duhet të vazhdojë. Faktikisht duhen edhe disa vite brenda mandatit të tretë që ne të kryejmë të gjithë ciklin dhe ta kalojmë në një nivel tjetër Shqipërinë në këto marrëdhënie kaq etike duke asgjesuar të gjithë atë pjesë të korrupsionit që ka të bëjë me këto marrëdhënie dhe duke zgjidhur një herë e mirë një tmerr të madh shumëvjeçar në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë që lidhet me administratën e pasjellshme, rryshfetmarrëse dhe duke e kthyer administratën që është në shërbim të qytetarëve në një makineri mbrapa ekranit, jo mbrapa sportelit. Duke mundësuar që marrëdhënia e qytetarit me shtetin për të gjitha ato që qytetari ka nevojë dhe shteti t’ia garantojë të jetë në xhepin e qytetarit, jo dora e zyrtarucëve dhe zyrtarëve të korruptuar, por shteti i gjithë të jetë në xhep me një smartphone. Ky do të jetë realitet i Shqipërisë brenda disa viteve, nesër brenda katër viteve të ardhshme”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se deri më tani janë me dhjetëra shërbime online. Kreu i qeverisë përmendi certifikatën, por edhe dëftesat për nxënësit, që tashmë do të jepen online. Po ashtu, Rama tha se edhe emigrantëve u janë lehtësuar shërbimet përmes aplikacionit E-Albania.

“Ju e mbani mend tmerrin e certifikatave. Sot ne kemi certifikatën në çdo moment që e duam me vulë elektronike në kohë reale nga kompjuteri. Nuk ka nevojë të shkojmë për të marrë një certifikatë. Sot dëftesat e nxënësve do të ofrohen online me vulë elektronike. Sot edhe pse ka shumë akoma për të bërë shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë mundësojnë që 38 shërbime për të cilat deri dje kërkohej prania fizike në një konsullatë duke imponuar humbje kohe harxhime stres janë online”, tha Rama./tvklan.al