Disa raportojnë vdekjen, të tjerë se është në gjendje të rëndë

Lajme kontradiktore mbi shëndetin e udhëheqësit koreanoverior Kim Jong-un qarkullojnë në mediat ndërkombëtare. Disa media në Hong-Kong thonë se udhëheqësi komunist ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare, pasi nuk arriti t’i mbijetojë një ataku kardiak edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në fillim të këtij muaji.

Të tjera media në Japoni thonë se Kim Jong-un është aktualisht në gjendje kome, pas ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërsa në Korenë e Jugut, që monitoron nga afër zhvillimet në fqinjin komunist verior, ku ka burime më të besueshme, mediat thonë se ai ka lënë spitalin dhe është dërguar për të vazhduar kurimin në një nga vilat qeveritare të pushimit.

Lajmet bazohen edhe në pamjet satelitore të fiksuara nga projekti “Veriu 38” një organizatë me qendër në Uashington që monitoron aktivitete të ndryshme në Korenë e Veriut.

Pamjet tregojnë se treni i udhëheqjes, të cilin e përdor Kim Jong-un për udhëtime, ka lënë Onsanin ku ndodhet parku i madh i mjeteve zyrtare. Aktiviteti është konstatuar mes 21 dhe 23 Prillit.

Nga Peniani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për shëndetin e Kim Jong-un. Dyshimet për fatin e tij lindën pasi prej 11 Prillit, ai nuk është shfaqur në publik, madje as në 108-vjetorin e lindjes së gjyshit të tij Kim Il Sung, themelues i Koresë së Veriut. Pasuesja e tij më e mundshme është e motra, Kim Jo-Jong.

Tv Klan