“Në Maj kisha 1 pacient gjithë muajin, tani edhe 4 në ditë. Ka shumë riinfektime, e kalojnë lehtë

Në 10 ditët e fundit të muajit Qershor rastet me Covid-19 janë trefishuar. Sipas mjekëve ka një shtim të pacientëve që vizitohen pasi janë me Covid por ka dhe rritje të testimeve.

“Javën e fundit kemi patur një trend në rritje edhe këtu pranë qendrës tonë shëndetësore. Nëse në muajin Maj rastet kanë qenë sporadike, aktualisht kemi patur vatra familjare, ekspozim në ambientet e punës dhe numri i rasteve ka ardhur në rritje. Në muajin Maj  pata vetëm 1 pacient me Covid, ditën e djeshme ishin 4 raste të tilla”.

Shumica e pacientëve janë riinfektime por mjekja thotë se e kalojnë në forma të lehta.

“Kryesisht kanë qenë mosha aktive në marrëdhënie pune. Simptomatika ka qenë e lehtë, raste riinfektimesh edhe në pacientë të vaksinuar. Masat e distancimit duhet të respektohen, sidomos për pacientët që nuk kanë kryer dozën e tretë ose të katërt, të paraqiten pranë qendrave shëndetësore”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë nga rreth 300 të infektuar më 10 Qershor, tashmë janë mbi 1 mijë raste aktive dhe Tirana ka mbi 80% të rasteve në total.

Klan News