Shkupi dhe Tetova u prijnë qyteteve me më shumë raste aktive

Për më pak se dy javë për gati 100% është rritur numri i rasteve aktive në nivel vendi. Nëse në fillim të Korrikut kishte 141 raste aktive, sipas statistikës së të Dielës së MSH-së, për momentin janë 265 raste aktive.

Shkupi me 99 dhe Tetova me 83 raste janë qytetet që u prijnë listës së vendeve që kanë më shumë raste aktive. Në Tetovë vatra të infektimeve të reja ishin klasterët e dasmave dhe ahengjeve familjare.

Mbrëmë policia ka arrestuar tre pronarë të një objekti hotelerik në Tetovë për shkak se kanë organizuar dasmë me rreth 200 mysafirë. Sipas njoftimit policor, ata kanë vepruar në kundërshtim me udhëzimet shëndetësore në kohë epidemie dhe do të përballen me kallëzime adekuate.

Nga ana tjetër Komisioni për Sëmundje infektive, javën që vjen duhet të bëjë vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe për të konstatuar se sa shqetësuese paraqitet situata e krijuar në nivel lokal, por edhe për restriksionet e mundshme.

Pa marrë parasysh epilogun e takimit të Komisionit, autoritetet e shëndetësisë alarmojnë se imunizimi është shpëtimi i vetëm nga virusi.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, për shkak se siç shkruan në Facebook, certifikata e vaksinimit do të jetë e domosdoshme si “biletë” hyrëse nëpër shumë evenimente kulturore e sportive por edhe për udhëtime.

Nga e Hëna do të nis edhe vaksinimi I fëmijëve dhe të rinjve nga mosha 12 deri 16 vjeç. Krahas Komisionit për Sëmundje Infektive që rekomandon masat, duhet të prononcohet edhe Komiteti për Imunizim, nëse edhe në RMV do të ketë opsione që mbi 270 mijë qytetarët që kanë marrë dy doza, për të forcuar imunitetin, të kenë mundësi, nëse duan, ta marrin edhe dozën e tretë. 

Klan Macedonia