Shtohen rastet e të prekurave me kancer gjiri

Posta

Shtohen rastet e të prekurave me kancer gjiri

22:35 13/10/2019

Mjekët: Shkak mungesa e lindjeve dhe ndalimi i ushqyerjes me gji

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2018 u diagnostikuan 708 raste të reja me kancer gjiri. 80% e rasteve ishin mbi 50 vjeç, ndërkoha që kishte dhe raste ekstreme nën 35 vjeç.

Rastet e shtuara me kancer të gjirit kanë bërë që Ministria e Shëndetësisë të investojë edhe në spitalet rajonale për diagnostikimin dhe kurimin e këtyre sëmundjeve. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pa nga afër Shërbimin e ri të Senologjisë në Durrës, i cili është shërbimi i parë pas QSUT ku realizohet i plotë cikli i diagnostikimit, ndërhyrjes dhe trajtimit të kanceri të gjirit.

“Nuk është më e nevojshme të shkosh në Tiranë për kirurgjinë e gjirit, pasi këtu në Durrës ofrohet i njëjti shërbim specialistik për trajtimin e plotë të tumoreve të gjirit. Besoj, ja kemi arritur të ofrojmë shërbimin afër vendbanimit për një fashë shërbimesh që nuk ofroheshin më parë”.

Sipas ministres janë më shumë se 600 persona kanë marrë shërbim në Njësinë e re të Senologjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit. Duke theksuar se sot gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për trajtimin me kemioterapi, Manastirliu lajmëroi hapjen e një qendre të re në spitalet rajonale.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, një faktor kryesor në shtimin e rasteve të kancerit të gjirit është edhe ndryshimi i stilit të jetesës së femrave. Madje dhe mos ushqyerja me gji e foshnjave.

“Jeta moderne me martesat në moshë të rritur. Lindja e një fëmije, ose moslindja fare e fëmijës, ose mosushqyerja me gji e fëmijëve bën që organizmi i femrës të nënshtrohet për një kohë më të gjatë ndaj hormoneve, të cilët kanë një farë ndikimi në kancerin e gjirit”, thotë Lumturi Mërkuri, eksperte e shëndetit publik.

Në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit apeli është ekzaminimi periodik për të kapur herët sëmundjen. Në 8 muajt e parë të vitit janë rreth 9 mijë gra në të gjithë vendin që kanë kryer mamografinë.

Klan Plus


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi