Ankaraja paralajmëron nisjen e punës për nxjerrjen e gazit nga Mesdheu lindor

Shtohen sërish tensionet mes Greqisë dhe Turqisë pas vendimit të Ankarasë, për të dhënë lejet e para për firmat që do të kryejnë shpime për gaz në ujërat territoriale të diskutueshme të Mesdheut lindor.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias kërkoi mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian, për këtë çështje. Për këtë çështje Dendias ia shprehu shqetësimin edhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Athinë, Geoffrey Pyatt.

Në të njëjtën ditë, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushollu tha se lejet e para për shpime do të jepen në fund të këtij Gushti. Tensionet u rritën sërish pasi të hënën, një anije eksploruese pranë ujërave në jug të ishullit grek Kastelorizo. Ngjarja rrezikoi të krijonte një konflikt të armatosur pasi Greqia dërgoi disa luftanije për ta detyruar atë të largohej.

Në bazë të një marrëveshjeje detare me Libinë, Turqia pretendon se ka të drejtë të eksplorojë dhe të nxjerrë gaz nga disa zona të Mesdheut. Ishulli Kastelorizo ndodhet vetëm 2 kilometra larg brigjeve turke, por është pjesë e territorit dhe e shelfit kontinental grek dhe ky është një argument që Greqia e përdor për ta konsideruar zonën detare ku kërkon të eksplorojë për gaz, si ekskluzivitetin e saj.

Prej dekadash, dy vendet nuk gjejnë dot marrëveshje ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor. Tensionet për gazin rrezikojnë të shkaktojnë konflikt të armatosur mes dy anëtarëve të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë.

Tv Klan