“Nevoja për krah pune në Shqipëri si pasojë e emigracionit, por edhe zhvillimit të vrullshëm të turizmit po bën që sidomos sektori i shërbimit si ai i hoteleri-turizmit, zgjidhjen ta shohë edhe tek punësimi i fëmijëve”, raporton gazetarja Dorina Halili.

Sipas të dhënave të siguruara nga Tv Klan, nga viti në vit numri i të rinjve të punësuar nën 18 vjeç që ka konstatuar Inspektorati Shtetëror i Punës ka ardhur në rritje, duke shkuar në 215 të punësuar në vitin 2023.

80% e tyre rezulton se punojnë në hotele-bare-restorante dhe tregti.

“Gjithë kjo nevojë e madhe për punonjës përkthehet në faktin që ne po marrim në punë të mitur. Në një mënyrë apo në një tjetër janë duke përfituar ose duke vuajtur nga kjo mungesë që ekziston në tregun shqiptar për punonjës”, tha Gertjana Hasalla, eksperte punësimi.

Shqetësuese për eksperten e punësimit Gertjana Hasalla është shfrytëzimi i fëmijëve përmes mbajtjes në pune me orë të zgjatura në një kohë kur ata duhet të punojnë me kohë të pjesshme.

“Punojnë të paktën 12 orë, sepse janë në industri shërbimi… I bie shfrytëzim, kjo është skllavëri moderne”, tha Hasalla.

Pjesa më e madhe e të rinjve të punësuar janë të moshës 17 vjeç. Ndërmarrjet prodhuese zënë vendin e dytë për numrin më të madh të të punësuarve të mitur që Inspektorati i Punës ka konstatuar për vitin e shkuar.

Tv Klan