60 të infektuar të tjerë mbahen nën vëzhgim

Koronavirusi ka vënë në alarm autoritetet italiane. Vetëm gjatë orëve të fundit dy të moshuar kanë humbur jetën, pasi në teste rezultuan të infektuar. Në dy ditë numri i të infektuarve ka arritur në 60, ku shumica janë shënuar në disa qyteza pranë Milanos, të tjerët në rajonin e Venetos.

Viktima e parë ishte një 78-vjeçar, i cili ishte shtruar për kurim në spitalin e Padovës që përbën edhe të parin shtetas nga vendet europiane që humb jetën nga ky virus.

Ndërsa një 75-vjeçare ndërroi jetë në Casalpusterlengo. 450 persona të tjerë janë nën kontroll, të dyshuar si bartës. Janë mbi 10 qytezat, ku po aplikohen masa të ashpra për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të mos dalin nga shtëpitë në qytezat Codogno, Castelpusterlengo dhe Castilione d’Ada, ku janë mbyllur shkollat, institucionet publike dhe baret e restorantet. Të paktën 50 mijë banorë janë prekur nga alarmi i kuq.

Dyshime ka që të gjitha rastet e infektimit e kanë origjinën nga një 38-vjeçar, i cili të premten rezultoi pozitiv në teste dhe aktualisht është në gjendje të rëndë, por të stabilizuar.

Alarm edhe në Korenë e Jugut, numri i të prekurve është dyfishuar gjatë orëve të fundit duke arritur në 433, shifra më e lartë jashtë Kinës. Në Iran, koronavirusi u ka marrë jetën 5 personave, ndërsa në gjendje alarmi janë thuajse gjithë vendet e Gjirit Persik.

Në Kinë, ritmet e përhapjes po ngadalësohen. Numri i viktimave në 26 vendet e prekura të botës ka arritur në 2360 dhe 77.662 ai i të infektuarve.  

Tv Klan