Buxheti i shtetit po ngarkohet me fatura të papërballueshme të cilat po lindin nga koncesionet në shëndetësi. Për vitin 2018-ë, kostot shtesë të koncesionit të instrumentave kirugjikalë të sterilizuar janë shtuar me 40% më shumë se sa plani që ishte hartuar fillimisht nga qeveria.

Sipas analizës që i ka bërë kontratave në shëndetësi, Ministria e Financave rezulton se për koncesionin e sterilizimit, buxheti i shtetit duhet të paguante 12.5 milionë Dollarë, por për shkak të ecurisë së deritanishme të kërkesës për furnizime me setet kirurgjikale, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor i duhen të paktën 5 milionë Dollarë për t’i dhënë kompanisë koncesionare.

Probleme po hasen edhe me koncesionin e dializës, ku pavarësisht se buxheti po paguan për të gjithë numrin e seancave që janë parashikuar, kur në fakt është realizuar vetëm gjysma, kompania koncesionare pretendon rimbursim në masën e gjysëm milion Dollarëve për seancat që janë bërë shtesë në disa rajone.

Edhe për këtë vit, buxheti do të vazhdojë të paguajë 8.76 milionë Dollarë për kontratën e Check Up-it, edhe pse për 7 muajt e parë është realizuar vetëm 58% e numrit të përfituesve. Ndërsa qeveria projekton të zgjasë edhe me 3 vjet të tjera pagesën buxhetore për këtë kontratë në këmbim të ofrimit të kontrollit bazë mjekësor, ku nëse kjo vendoset, atëherë buxhetit të shtetit do t’i duhet të paguajë 26 milionë Dollarë të tjera.

Në total 3 koncesionet në shëndetësi kapin vlerën e 288 milionë Dollarëve. Sterilizimi dhe Dializa përfundojnë në vitin 2025, ndërsa Check Up-i programohet të përfundojë në 2028-n.

Tv Klan