Specialistët: Dominon temperatura e lartë dhe problemet në rrugët respiratore

Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe temperatura e lartë janë ndër shqetësimet kryesore tek fëmijët gjatë kësaj periudhe. Megjithatë sipas mjekëve pediatër nuk kanë munguar edhe rastet e ftohjes.

“Pjesa më e  madhe e fëmijëve në këtë periudhë kanë pasur infeksion të rrugëve të sipërme respiratore, shoqëruar nga temperatura e lartë. Veç këtyre kanë qenë edhe virozat e stinës ose ftohjet e zakonshme nga ajri i ftohtë ose përdorimi i kondicionerëve”.

Grupmosha që i drejtohet më shumë specialistit mbetet ajo 0-7 vjeç.

“Pjesa më e madhe kanë qenë infeksione bakteriale, jo virale dhe kanë qenë grupmosha parashkollore. Fëmijët më të rritur kanë qenë raste më të rralla, me temperaturë 39-40 që prindërit nuk e kontrollonin dot”.

Mjekët pediatër këshillojnë prindërit që të tregojnë kujdes me temperaturën e lartë mbi 39, sikurse dhe me pëdorimin e kondicionerit.

“Fëmijët me temperaturë mbi 39 nuk duhet të qëndrojnë në banesë sepse është e rrezikshme dhe mund të lërë pasoja në të ardhmen e fëmijës. Një këshillë që iu jap gjithë prindërve, të mos i çojnë nën 24 kondicionerët dhe fëmijët mos të rrinë në ambiente ku ajri është i ftohtë”.

Në Urgjencën Pediatrike të QSUT-së gjatë javës paraqiten rreth 230 të vegjël për vizita, ndërsa në fundjavë numri i tyre shkon deri në 280.

Klan News