Të shtruar me Covid edhe pacientë 20-vjeçarë

Numri i personave që i drejtohen Urgjencës së Spitalit Infektiv në kryeqytet ka ardhur në rritje gjatë 2 javëve të fundit. Shkak për këtë, thotë mjekja infeksioniste Migena Qato, janë simptomat e ngjashme që shfaqin personat e infektuar me Covid-19, si dhe ata me viroza stinore.

“Është shumë e vështirë që të diferencosh në fazën e parë një koronavirozë nga viruse të stinës. Alerti i njerëzve është shtuar dhe po ashtu ankthi i tyre. Ndaj numri i pacientëve që referojnë ankesat e para dhe numri i njerëzve që paraqiten dhe tek ne për ndihmë mjekësore është i shtuar”.

Mjekja Qato pohon se pacientët e shtruar me Covid-19 i përkasin të gjitha grupmoshave, duke nisur nga ajo 20-vjeçare.

“Përqindje më të lartë e kanë grupmoshat 55-60 vjeç duke qenë se janë mosha më të brishta imunologjikisht dhe janë bartës të sëmundjeve bashkëshoqëruese. Moshat e reja nuk janë të kursyera në pjesën e gravitetit klinik”.

Po si paraqitet gjendja e tyre?

Pothuajse të gjithë pacientët vuajnë kushtet e insuficencës respiratore. Me ardhjen e vjeshtës paraqiten edhe në kushte më të agravuara respiratore. Kapacitet e 2 spitaleve Covid janë drejt ezaurimit për shkak të numrit të lartë të pacienteve të shtruar. Po ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë pohojnë se ende mbetet 25% e tyre në dispozicion të pacientëve përpara se të vihet në funksion edhe spitali Covid 3″.

Tv Klan