Selanik, agjencitë funerale: Po bëjmë 10 varrime në çdo orë

Autoritetet në Selanik kanë hapur dhjetra varre për viktimat e COVID-19. Gjatë kësaj jave humbjet e jetëve kanë qenë të larta. Greqia ka urdhëruar një bllokim të dytë mbarëkombëtar duke filluar nga nesër, pas rritjes së infektimeve me koronavirus. 

Selaniku, një qytet me rreth një million banorë dhe ku rastet e para në të gjithë vendin u shfaqën në Shkurt, është goditur më shumë gjatë valës së dytë. Punonjësit e shërbimeve të funeraleve shprehen se vdekjet dhe infektimet nuk kanë qenë kaq të larta kur Greqia u izolua në Mars.

Sipas tyre, çdo orë ka 8 deri në 10  funerale një shifër kjo shumë herë më e madhe se gjatë valës së parë të pandemisë. Në  varrezat e Lordit në Selanik, në anën lindore të qytetit, shumë varre të reja janë hapur. 

Është vetëm Kisha e Ortodokse Greke dhe vetëm 2 anëtarë nga familja që kryejnë ritualet e fundit. Të gjithë mbajnë distancën dhe maska në fytyrë.

Kujtojmë se në fillim të kësaj jave autoritetet greke bënë të ditur se vaksina kundër Covid-19 mund të vihen në dispozicion të qytetarëve grekë para fundit të këtij viti.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas, ku është shprehur se programi i vaksinimit pritet të përfundojë deri në fund të Qershorit të vitit të ardhshëm. Ai tha se qeveria do të nisë një fushatë mbarëkombëtare për të luftuar keqkuptimet në lidhje me vaksinën. Totali i të infektuarëve në Greqi ka shkuar në 115 mijë dhe 2902 kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Klan Plus