Reshjet e shiut shkaktojnë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve

Stuhi e fortë ere dhe reshje shiu kanë përfshirë gjithë vendin. Reshje të dendura shiu përfshinë qytetin e Durrësit gjatë mesditës së të hënës, duke bërë shumë rrugë u mbuluan nga uji, por më problematike janë rrugët në kryqëzimin e stadiumit “Niko Dovana”, në lagjen nr.18 të qytetit.

Reshjet me intensitet të lartë krijojnë probleme në këtë pjesë të qytetit, duke krijuar përmbytje dhe radhë të shumta automjetesh.  Uji ka arritur shumë shpejt nivelin e trotuarave, madje në disa rrugë sipër tij.

Edhe në 24 orët në vijim, moti do të jetë i paqëndrueshëm ku nuk do të mungojnë edhe reshjet në formë shtrëngatash sidomos në veriperëndim të vendit.

“Reshjet do të jenë edhe në formën e shtrëngatave duke sjellë probleme në disa zona të veri-perëndimit, në zonat e Shkodrës dhe nën Shkodrës. Po ashtu, Kruja, Tirana, Elbasani. Pas orës 16:00, presim të kemi shtim të intensitetit të reshjeve, kryesisht në zonat jugore, ku do të jetë Gjirokastra, Vlora. Në orët e vona të mbrëmjes, moti do të jetë problematik në disa zona të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe sidomos përgjatë Ultësirës Perëndimore duke sjellë lokalisht dhe reshje intensive, herë pas here shoqëruar me stuhi detare.”

Pavarësisht ciklonit, temperaturat do të jenë të larta theksojnë sinoptikanët.

 “Ndërkohë temperaturat vijojnë të jenë të larta edhe pse kemi reshje, 20 apo mbi 20 gradë Celsius.”

Për shkak të erës së fortë dhe kushteve të këqija të motiti është ndaluar dalja në det e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit në Vlorë dhe në Durrës.  Kjo tablo sinoptike do të vijojë edhe për Ditën e Verës, ndërsa e Premtja dhe fundjava rezervojnë më shumë kthjellime në vend.

Klan News