Rritja e volumit të ndërtimeve në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit nuk ka arritur që të sjellë në treg çmime më të favorshme. Në fakt ka ndodhur e kundërta, çmimet në periudhën e fundit të vitit të shkuar u rritën mesatarisht me 5%, krahasuar me fillimin e vitit 2018-ë, dhe 15.2% nëse do të llogariten me 2013-ën.

Sipas matjeve të realizuara përmes indeksit Fischer nga Banka e Shqipërisë, çmimet e pasurive të patundshme për shitjet e reja që kanë ndodhur në kryeqytet u rritën me 3.8%, duke e mbajtur Tiranën sërish më të shtrenjtën në treg, me çmime më të larta edhe se aparatmentet që shiten në zonat turistike.

Megjithatë kompanitë e ndërtimit dhe agjencitë imobiliare raportojnë se koha e shitjes së një prone në Tiranë është rritur me 1 deri në 2 muaj, ndërsa në zonën e bregdetit periudha për të shitur një banesë është shkurtuar me 2 muaj e gjysëm.

Shumica e blerjeve të banesave janë financuar me kredi bankare, ndërsa vetë bankat kanë lehtësuar kushtet e kreditimit për huatë me qëllim investimin në pasuri të patundshme.

Interesi i kompanive në ndërtim është rritur ndjeshëm gjatë periudhës së fundit, lejet e ndërtimit në fund të 2018-s arritën në 1194, duke kapur një vlerë investimi prej 480 milionë Eurosh.

Ndërsa indeksi i kostove të ndërtimit është shtrenjtuar për shkak të rritjes së taksave për këtë sektor.

Tv Klan