Një pjesë e pagesave për kontrata koncesionare është shtyrë për në vitin 2022.

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar ndryshimet për kontratën me kompaninë S2 dhe Rapiscan, e cila ofron shërbimin e skanimit të kontenierëve në dogana.

Kontrata e re bën që kompania të marrë me këste vitin e ardhshëm një shumë prej 4 milion dollarësh që duhet të ishte paguar vitin që pandemia preku Shqipërinë.

Zv/ministrja e Financave Vasilika Vjero, tha se detyrimet nuk u përmbushën dot për shkak të situatës që krijoi në buxhet pandemia e Covid.

“Është ngritur një grup pune për të bërë negocimin e pagesave të disa kontratave koncesionare, përfshirë dhe objektin e kontratës që kemi sot. Nevoja lindi për shkak të situatës që krijoi në buxhet pandemia e Covid-19.”

Vitin që lamë pas qeveria rishikoi skedulin e pagesave edhe për koncesionet në sektorin e shëndetësisë dhe atë të transportit rrugor, ndërsa në fund të vitit derdhi disa këste për të përmbushur detyrimet për ndërtimin e tre inceneratorëve.

Klan News