Për të tretën herë, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kërkojë shtyrjen e afatit të hetimit për ish-minsitrin e Brendshëm Saimri Tahiri. Fati i kësaj dosje nëse do të dërgohet për gjykim apo jo do të mësohet në muajin Tetor, kohë kur mbushet një vit nga fillimi i hetimeve. Shkak për shtyrjen e hetimeve janë bërë dërgimi drejt Italisë i dy letër-porosive të reja, nga ku kërkohet informacioni mbi disa hyrje-dalje të peronsave që janë nen hetim. Verifikimi do të kryhet për një udhëtim me skaf të ish-ministrit dhe personat që kanë udhetuar në të.

Gjithashtu burime konfirmojnë që gjatë javës së ardhshme, prokurorët e kësaj dosje do të shkojnë në Itali, ku pritet të rimarrin në pyetje disa prej anëtarëve të grupit të “Habilajve” të arrestuar ne vendin fqinj. Rreth një muaj prokurorët shqiptarë morën në pyetje Moisi Habilajn dhe Nazer Seitin, dy personat më të rëndësishëm të grupit. Por dëshmitë e tyre nuk ndihmuan hetimet pasi shumicës së pyetjeve ata refuzuan t’u përgjigjen. Hetuesit shqiptarë para se të mbyllin hetimet do të tentojnë të marrin dëshmi të cilat mund të faktojnë dyshimet e tyre, se ish-ministri i Brendshëm ka ndihmuar grupin e Habiljave në trafikun e të paktën 20 ton kanabis drejt Italisë.

Përveç trafikut të drogës, Prokuroria e akuzon edhe për korrupsion pasi ka përfituar dhurata nga Habilajt për shkak të ndihmës që ka dhënë. Pavarësisht akuzave, ish-ministri gjithmonë i ka mohuar ato. Në 12 Maj Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e caktoi masën e sigurisë arrest shtëpie për Tahiri, vendim i cili u prish nga Gjykata e Apelit dy javë më vonë. E njëjta gjë ndodhi dhe me bllokimin e pasaportës në muajin Dhjetor të vitit të kaluar. Aktualisht Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë.

Tv Klan