Ibrahimaj: Kanë kohë deri në 30 Qershor, do të falet penaliteti

Qeveria ka shtyrë përmes një akti normativ të miratuar ditën e mërkurë afatin për dorëzimin e deklaratës së vjetore të të ardhurave dhe pagesën e detyrimeve për individët që kanë të ardhura më të larta se 2 milion lekë në vit dhe për të dy punësuarit. Në një intervistë për televizionin Klan, drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, thotë se me dorëzimin e deklaratës dhe pagesën e detyrimit brenda datës 30 qershor, do të falet edhe gjoba që është gjeneruar për ata që nuk kanë arritur të bëjnë deklarimin brenda 30 Prillit.

“Duhet të bëhet brenda kësaj periudhë deklarimi dhe pagesa e detyrimit. Më pas do të nisë puna edhe për fshirjen e gjobës apo kamatës që u është vënë. Nëse shkelet afati i ri do të aplikohet i njëjti sistem sanksionesh”, tha Ibrahimaj.

Nga 88 mijë e 640  individë që kanë detyrimin për të bërë deklarimin e të ardhurave, vetëm 23 mijë e 307 kanë dorëzuar deklaratën, çka i ka detyruar tatimet që të bëjnë kërkesë për shtyrje të afatit.

“Kishte një numër të ulët të deklaruesve, prandaj bëmë kërkesë për shtyrje të afatit që t’i japim mundësi dhe jo t’i penalizojmë, duke qënë se është viti i parë për të dypunësuarit.”

Tatimet tërheqin vëmendjen që të mos klikohet në vitet e tjera kur të plotësojnë deklaratën, pasi mund të gjenerohet gjobë. Për ata që kanë marrë penalitet, duhet të bëjnë kërkesë për fshirje në drejtoritë rajonale tatimore.

“Nuk duhet të klikojnë në vitet e tjera, nëse e kanë bërë atëherë duhet të bëjnë kërkesë për fshirje të penalitetit në drejtoritë rajonale tatimore.”

Për herë të parë këtë vit të dypunësuarit duhet të paguajnë taksë të plotë për njërën nga pagat pa përjashtimin 30 mijë lekë që bëhet gjatë tatimit të saj. Tatimet kanë bërë gati në sistem llogaritjen e detyrimit për secilin.

Tv Klan