Policia jep kohë për ndryshimin e të dhënave deri në 31 Dhjetor

Qytetarët të cilët nuk kanë regjistruar në sistemin elektronik SIMA armët sportive dhe të gjahut kanë afat deri më 31 Dhjetor për të përditësuar të dhënat personale. Policia e Shtetit ka shtyrë afatin deri në fund të vitit duke qenë se afati që ishte parashikuar më 31 Maj nuk është arritur. Sipas burimeve të policisë, angazhimi i policisë në zgjedhje, por dhe situata e pandemisë ka ndikuar që të mos bëhet regjistrimi i armëve të kategorisë “C”.

Regjistrimi i armëve në sistemin elektronik të policisë është ndërmarrë për shkak të ndryshimit të adresave, por dhe emigrimit të shumë personave gjatë viteve të fundit.

Procedurës duhet t’i nënshtrohen dhe familjarët e personave që kanë humbur jetën dhe kanë pasur armë gjahu në emrin e tyre. Ata duhet të rinovojnë të dhënat pasi në rast se nuk e kryejnë brenda afatit, atëherë do nisin procedurat e sekuestrimit.

Ndryshimi i të dhënave duhet të bëhet nga qytetarët në bashkëpunim me efektivët e policisë, të cilët do ndëshkohen me masë disiplinore, në rast se nuk përmbushin detyrën. Efektivët e policisë kanë për detyrë të evidentojnë personat që janë pajisur me armë gjuetie dhe nuk gjenden në Shqipëri për arsye emigrimi, që u kanë humbur dokumentet, kanë mangësi në regjistrim dhe probleme të adresave.

Klan News