Të gjithë ata që kanë aplikuar për letërnjoftim dhe nuk kanë shkuar për ta tërhequr, kanë afat deri në Shtator të këtij viti për ta marrë atë. Shtyrja e këtij afati u njoftua në një postim në Twitter nga Ministria e Brendshme, e cila thotë se ky vendim u mor për t’u ardhur në ndihmë atyre që jetojnë jashtë dhe nuk kanë mundur t’i marrin dokumentet në kohë.  

“Shtyhet afati i tërheqjes së letërnjoftimeve, deri në Shtator 2021. MB, në bashkëpunim me koncesionarin e prodhimit të dokumenteve të identitetit, kanë shtyrë deri në Shtator 2021, afatin e tërheqjes së letërnjoftimeve të prodhuara, por të patërhequra nga shtetasit. Ky vendim është marrë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë mundur t’i marrin dokumentet në kohë.

Ministria e Brendshme u bën thirrje shtetasve që nuk kanë tërhequr ID kartat, të marrin masat që gjatë kësaj periudhe, të paraqiten pranë zyrave të shpërndarjes. Sipas ligjit, letërnjoftimet mund të mbahen në ruajtje për një afat 1-vjeçar dhe më pas asgjësohen, nëse nuk aktivizohen sipas procedurës për shenjat biometrike./tvklan.al