Studiot filmike të Hollivudit po shtyjnë datat e publikimit të disa prej projekteve të tyre më të mëdha.

Në mesin e tyre ndodhet edhe “Borëbardha”, filmi i Disney i cili ishte programuar të dilte në kinema në Mars 2024, por është zhvendosur me një vit.

Filmi original “Borëbardha dhe 7 xhuxhat” doli në vitin 1937 dhe ishte i pari film i gjatë i animuar nga Disney. “Borëbardha” e vitit 2025 nuk do të fokusohet te romanca e dashurisë, por do të tregojë se si protagonistja shndërrohet në lideren që i ati e shtynte të bëhej.

Roli kryesor i është besuar Rachel Zegler e cila është gruaja e parë latine që luan Borëbardhën, aktorja izraelite Gal Gadot do të jetë mbretëresha dhe Andrew Burnap do të jetë një personazh i ri me emrin Jonathan. Shtatë xhuxhat janë krijuar me anë të CGI.

“Ka një fokus shumë të madh në historinë e dashurisë me një djalë që e përndjek. E çuditshme! Kështu që ne nuk kemi bërë këtë”, tha protagonistja në një intervistë. “Kemi një qasje tjetër dhe shumë njerëz do hamendësojnë se është një histori dashurie për shkak se kemi një djalë në film”, u shpreh ajo duke iu referuar kolegut të saj, Burnap.

“Versioni ynë është një histori e re rreth një vajze që ka një funksion përtej “Një ditë princi im do të vijë’,” vijon Zegler në një intervistë tjetër.

“Borëbardha” do të dalë në kinema më 21 Mars 2025./tvklan.al