PD: I shërben axhendës politike të Edi Ramës

Qeveria propozoi shtyrjen deri më 31 Mars 2020 të gjendjes së fatkeqësisë natyrore për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit që goditi vendin tonë.

Kërkesa që mban firmën e Kryeministrit është propozuar nga ministrja e Mbrojtjes dhe  i drejtohet kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Parlamenti nisi shqyrtimin e saj në Komisionin e Sigurisë.

Përfaqësues të mazhorancës dhe Ministrisë së Mbrojtjes thanë se shtyrja deri më 31 Mars e fatkeqësisë natyrore, do i japë zgjidhje përfundimtare strehimit të banorëve dhe rikthimit të tyre në banesat e rikonstruktuara.

Po kështu, sipas tyre, brenda këtij afati do të nisë edhe procesi i rindërtimit.

Por opozita reagoi me anë të një deklarate, duke thënë se me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk i shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por axhendës politike të Edi Ramës.

Partia Demokratike thotë se 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar.

Por sipas saj, këtë afat qeveria e përdori për show dhe jo për ofrimin e zgjidhjeve në dobi të qytetarëve.

Në deklaratë thuhet se “zgjatja e fatkeqësisë natyrore nuk është e justifikuar dhe përmes shtyrjes me 3 muaj, Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, përsa kohë vendi është në një situatë të tillë”.

Tv Klan