Ikonomi: 25% e fermerëve kanë aplikuar, po shpërndajmë kartat e para

Qeveria do të shtyjë afatin e aplikimit për naftën pa taksa, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë fermerët e regjistruar me nipt.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ikonomi, thotë se pritet që vendimi të miratohet së shpejti në formë zyrtare, ndërsa afati i ri do të jetë fundi i muajit Mars, nga 25 Shkurti që ishte vendosur fillimisht.

Aktualisht kanë aplikuar 14.250 fermerë nga 56.436 të regjistruar me nipt, vetëm 25% e tyre, ndërkohë ka nisur edhe procesi i dhënies së kartave të karburantit për 125 fermerët e pare.

Milva Ikonomi sqaron se shtyrja e afatit nuk do të pengojë procesin e shqyrtimit të aplikimeve dhe shpërndarjes së kartave nga ana e agjencive rajonale bujqësore.

Perimet, drurorët, bimët arrore dhe ato medicinale dhe perimet fushore janë kulturat që do të përfitojnë nga skema e subvencioneve. Aplikimet do të bëhen 2 herë në vit, në bazë të procesit të të mbjellave të fermerëve. Bujqit do të marrin një kartë me anë të të cilës do të përfitojnë falas gjysmën e karburantit që nevojitet për kulturën që kultivojnë.

Karta ka përllogaritur heqjen e akcizës, taksës së qarkullimit dhe karbonit si dhe TVSH-në, të cilat përbëjnë gjysmën e çmimit të një litri naftë. Që prej hapjes së thirrjes, janë afro 5 mijë fermerë që kanë regjistruar nipt për të përfituar nga skema.

Tv Klan