Opozita nuk ishte në Kuvend për të votuar për kërkesën e saj për zgjatjen edhe me 3 muaj mandatit të Komisionin Hetimor për ish-ministrin Saimir Tahiri, por mazhoranca me 72 vota pro e miratoi atë.

Pavarësisht distancës, shumica në sallën e parlamentit dhe opozita e mbledhur në një hotel në Elbasan, nuk munguan replikat. Ministri i Energjetikës dhe Transporteve, Damian Gjiknuri iu përgjigj akuzave të kreut të opozitës për zvarritje në rrugën Tiranë- Elbasan, ndërsa me parë ironizoi mbledhjen paralele të opozitarëve.

Dëgjoja nga Elbasani ata që janë mbledhur atje si kukudh për të bërë atë parlamentin paralel dhe po preknin disa plagë që i kanë hapur vet për rrugët. Merr guximin kryetari i opozitës dhe flet për rrugën Tiranë-Elbasan, duke na e shitur si dështimin tonë, pa harruar që një rrugë e filluar pa projekt, e filluar me gjoja 160 milionë euro e cila ka përfunduar mbi 400 milionë euro pikërisht për atë që them, s’ka pasur projekt të plotë dhe s’ka qenë menduar ashtu siç duhet, për të mos thënë keqmenaxhimi i vazhdueshëm që i është bërë asaj rruge dhe që fatmirësisht është duke u hetuar nga prokuroria”.

Ndërsa ministri i Financave Arben Ahmetaj në një fjalim tejet të gjatë mbrojti aktin normativ për rishikimin e buxhetit e këtij viti, ku sipas tij është reflektuar filozofia e kësaj qeverie që askush të mos mbetet jashtë vëmendjes së shtetit, gjithmonë duke u krahasuar me qeverinë e PD.

“Vërtetë mund të thotë dikush se kjo është një thelë, por jo nuk është kështu. PD e dha 5 mijë Lekëshin për pensionistët vetëm në vitet elektorale”.

Mungesa e opozitës në të dyja seancat e para të këtij sesioni të ri është reflektuar te përfaqësuesit e mazhorances të cilët te relaksuar nuk i kanë kursyer bashkëbisedimet e ç‘tensionuara dhe me të qeshura mes tyre.

Tv Klan