Ministria e Shëndetësisë: 15,210 dozat e vaksinave mbërrijnë të martën

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se shtyhet me 24 orë dërgesa e Pfizer, dhe 15,210 dozat e vaksinave që duhet të vinin mbrëmjen e kësaj të hëne do të mbërrijnë ditën e martë.

“Sapo kemi marrë njoftim nga kompania dhe autoriteti përgjegjës për transportin e sigurt të vaksinës, se sasia e vaksinave Pfizer, e konfirmuar për të mbërritur mbrëmjen e sotme, shtyhet me 24 orë,” shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Deri më tani vendi ynë ka marrë nga kontrata që ka me kompaninë Pfizer, 16,380 vaksina, nga 500 mijë doza që përfshinë kontrata në total.

 Ndër të tjera autoritetet shëndetësore sqarojnë se do të njoftojnë opinionin publik për çdo zhvillim lidhur me mbërritjen e vaksinave në vendin tonë.  Ndërkohë që sqarojnë se procesi i vaksinimeve po vijon sipas planit me vaksinimin e personelit shëndetësor dhe grupmoshën +80 vjeç, sipas fashave të përcaktuara.

Deri me tani janë administruar 14 mijë vaksina. Prej të cilëve rreth 1 mijë janë të grupmoshave mbi 80 vjeç, ndërsa pjesa tjetër janë stafe shendetësore. Aktualisht janë rreth 700 mjek dhe infermierë që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti covid.

Klan News