Më 1 Prill është afati fundit për dorëzimin e deklaratës së të ardhurave për vitin 2024. Afati i fundit ishte 31 Marsi, por Drejtoria e Tatimeve e shtyu më 1 Prill për shkak se dita e hënë është pushim zyrtar nga festa e Fitër Bajramit.

Detyrimin për të plotësuar deklaratën personale të të ardhurave e kanë të gjithë të punësuarit që kanë pasur rrogë mujore bruto mbi 100 mijë Lekë gjatë vitit të shkuar, ose të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë si dhe të të dypunësuarit. Po ashtu detyrimin për të pltoësuar e kanë edhe ata persona që kanë të ardhura deri 50 mijë Lekë të patatuara, të fituara nga të ardhurat nga qira ditore, Air BnB apo Booking.

Janë rreth 144 mijë individë sipas Tatimeve që duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave deri më 1 Prill 2025. Ndërkohë që deri më 26 Mars numëroheshin 85 mijë deklarata të dorëzuara.

Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë Lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa. Plotësimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë.

Plotësimi dhe dorëzimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale bëhet në formë elektronike duke hyrë në faqen zyrtare të tatimeve.

Më pas, si për ata që e kanë plotësuar më parë dhe ata që regjistrohen për herë të parë, deklarata e të ardhurave personale për periudhën Janar-Dhjetor 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht nga sistemi i tatimeve.

Deklaruesit duhet të plotësojnë vetëm të dhënat e tyre personale.

Klan News