Komisioni i Jashtëm i PE dyshon se ka lidhje me euroskeptikun Orban

Anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian shtynë miratimin e kandidaturës së Oliver Varhelit, si komisioner për zgjerimin. Varheli nuk arriti t’i bindë anëtarët se është krejtësisht i pandikuar nga kryeministri hungarez Viktor Orban. Ai do t’i nënshtrohet një seance të dytë pyetjesh për këtë çështje. Ndërsa në të parën që u zhvillua këtë të enjte, ai renditi si prioritet të punës së tij, hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne duhet të sigurojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hapin negociatat e anëtarësimit para samitit të Zagrebit. Duhet të fokusohemi tek shqetësimet për kërkesat e rreme të azili, korrupsionit dhe çështjet e tjera të sundimit të ligjit. Do të angazhohem me partnerët tanë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut që të minimizojmë këto shqetësime dhe të përmbushim kriteret”.

Varheli propozoi që në misionet fakt mbledhëse të Komisionit Europian të përfshirjen ekspertë të vendeve skeptike si Franca, Holanda dhe Danimarka.

“Nuk besoj, se duhet ndryshuar e gjithë korniza e zgjerimit. Mendoj se metodologjia duhet të përmirësohet… Dua të përfshij shtetet anëtare në misionet tona faktmbledhëse që të vijnë dhe të mbulojnë të gjithë rajonin së bashku. Të shohim faktet, zhvillimet dhe t’i vlerësojmë ato së bashku, që të evitojmë një dështim tjetër.

Varheli është kandidatura e dytë e paraqitur nga Hungaria, pas refuzimit të Lazlo Troshanjit për lidhjet e tij të ngushta me Kryeministrit Orban, i kritikuar ashpër nga Brukseli për politika anti-europiane.

Tv Klan