FSHF: Ngjarja po hetohet nga organet kompetente

Ndeshja e Superiores Kastrioti-Bylis e parashikuar të luhej të dielën në Kamëz nuk u zhvillua. Federata Shqiptare e Futbollit e njoftoi anulimin rreth 1 orë para nisjes së takimit. Shkak i këtij vendimi të paprecedentë është bërë kërcënimi i arbitrave të takimit shkruhet në deklaratë dhe asnjë tjetër trupe gjykuese nuk e ka marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti.

“Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla”.

Kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente thuhet në deklaratën e FSHF-së. Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e shtunë dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.

Në një reagim klubi krutan thotë se distancohet nga këto akuza dhe i bën thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë histori të shëmtuar. Kastrioti renditet në vendin e fundit në renditje.

Tv Klan