Edhe pse Saimir Tahiri ka kërkuar gjykim të shkurtuar në procesin e tij, ende nuk është zhvilluar një seancë e plotë, pavarësisht se ka kaluar një muaj nga nisja e gjyqit. Për herë të tretë, gjykata ka dështuar të nisë shqyrtimin gjyqësorë.

Trupa e gjyqtarëve ka konstatuar se në fashikuj e hetimit mungonin tre dëshmitë e përkthyera të pjesëtarëve të grupit të Habiljave, me të cilët dyshohet se ka bashkëpunuar ish-Ministri në trafikun e drogës. Deklarimet e Moisi Habilaj, Nazer Seiti dhe Meridian Sulaj janë vetëm në gjuhën italiane. Gjatë seancës prokuroria kërkoi 10 minuta kohë për t’i gjetur, por që nuk mundën. Sipas organit të akuzës, ato nuk ishin përkthyer për shkak të volumit të dosjes.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Saimir Tahirit. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë e kishte kryer përkthimin dhe ia kishte vënë në dispozicion Prokurorisë. Ish-Ministri e cilësoi qesharake këtë situatë dhe kërkoi që procesi të mos shtyhej.

“Ky proces është shtyrë për të tretën herë. Herën e parë siç e patë ju letrat që kishte sjellë posta ishin të grisura. Hera e dytë se policia nuk kishte bërë njoftimet dhe hera e tretë se prokuroria ka humbur ca letra. Unë nuk e di, por edhe një çerdhe kalamajsh është më e organizuar se kaq. Nuk di si mund të ndodhë që të humbasin letra në prokurori kur ka protokoll, kur ka një sistem, kur dihet kush i ka dërguar, kush i ka marrë. Unë nuk e di si mund të vazhdohet kështu dhe çfarë lloj serioziteti është ky, kur praktikisht me këto letra prokuroria kërkoi në parlament arrestimin tim. Sot s’i paska, sot kanë humbur! Sot vjen në gjykatë dhe thotë kanë humbur. Kjo është qesharake. Unë e thashë dhe në seancë, ato për fat të keq janë prova në favorin tim, por nuk ka problem unë heq dorë, se po bëhet tërkuz kjo histori. Unë heq dorë, po heq dorë nga disa dëshmi që janë në favorin tim. S’ka problem unë heq dorë edhe nga këto, unë jam shumë i bindur për të vërtetën time, mjafton të mos shtyhet”.

Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 22 korrik. Për të ironizuar shtyrjet vazhdueshme të procesit të tij gjyqësor, Tahiri publikoi një foto nëpërmjet aplikacionit FaceApp, i cili është thinjur dhe plakur nga pritja e gjatë për drejtësi.

Tv Klan