Avokati i PD-së: Të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal, dosja në SPAK

Gjykata e Dibrës ka zhvilluar seancën e parë të dosjes së njohur me emrin 184, në lidhje me shit-blerjen e votave në zgjedhjet e 2016-tës në këtë qytet.

Për shkak se Partia Demokratike përmes avokatit të saj kërkoi të njihej me të gjithë fashikujt e dosjes, por edhe sepse mungonin disa prej të akuzuarve, seanca u shty më datë 26 Janar.

Në seancën e së premtes pritej që gjykata të vendoset nesë dosja do të kalonte për gjykim, apo do t’i kërkohej prokurorisë të kryente veprime të tjera hetimere.

Ndërsa për avokatin Indrit Sefa në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, dosja duhet të trasnsferohet në SPAK për shkak se të pandehurit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.

“PD kërkon që çështja të shkojë në GJKKO që duhet ta vendosë. Prokurori në Nëntor 2020 ka bërë edhe ndryshimin e cilësimit të veprës penale, për disa të pandehur. Të gjithë këta persona në hetim kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Ndaj nuk mund të jetë kompetente Gjykata e Dibrës”.

Dosja 184 kaloi të paktën 4 herë nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë e Posaçme në Tiranë, por në fund SPAK shpalli moskompetencë dhe hetimet i përfundoi Prokuroria e Dibrës.

Sipas hetimeve, të pandehur janë marrë 4 persona. Robert Aga që mbante postin e shefit të Komisariatit të Dibrës do të përballet në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Me të njëjtën akuzë do të përballet edhe ish-Drejtori i Arsimit Drini Gjeci si dhe Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrativë Tomin.

Ndërkohë një tjetër zyrtar i vënë nën akuzë është edhe Hasan Hoti, por për këtë të fundit hetuesit kanë ngritur akuzën e kanosjes në zgjedhje. Ndërkohë për pjesën tjetër të personave nën hetim Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi dhe Afrim Mikli, është kërkuar pushimi i çështjes.

Prokuroria ka konstatuar se ata kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës, por për shkak të tejkalimit të afatit 3-vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj s’mund të merrem në përgjegjësi penale.

Tv Klan