Lancimi i filmit “Mission: Impossible 7” është shtyrë sërish për shkak të situatës së vazhdueshme me pandeminë. Në Shtator të vitit të kaluar, vazhdimi i shtatë në serinë e filmave aksion të yllit të kinematografisë, Tom Cruise, u shty për katër muaj pasi pritej të lancohej më 30 Shtator 2022.

Studiot filmike “Paramount Pictures” dhe “Skydance” kanë lajmëruar se filmi i shumëpritur nga fansat, do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 14 Korriku i vitit 2023, kjo pasi COVID-19 vazhdon të ketë ndikim në industrinë e filmit dhe po i vonon xhirimet e këtij projekti që kanë zënë vend kryesisht në Britani të Madhe.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ‘Paramount Pictures’ dhe ‘Skydance’ kanë vendosur t’i shtyjnë datat e publikimit për filmat ‘Mission: Impossible 7 & 8’ si pasojë e vonesave të shkaktuara nga pandemia. Mezi presim t’iu ofrojmë shikuesve të filmave një përvojë të pashembullt nëpër kinema”, shkruhej në deklaratën e përbashkët për media të lëshuar nga studiot filmike prapa këtij projekti.

Filmat e mbushur me skena aksion ku rolin e agjentit Ethan Hunt, e portretizon aktori i famshëm, Tom Cruise, konsiderohen ndër më të suksesshmit në Hollywood.

Klan News