Prokuroria e Krimeve të Rënda për herë të tretë e ka pasur të pamundur të lexojë pretencën për Kelmend Balilin. Përsëri shkak është bërë mungesa e avokatit të tij Theodhori Sollaku, i cili nuk ka justifikuar mosprenzencën në sallë. Në kushte të tilla gjykata ka vendosur një gjobë prej 10 mijë Lekësh të reja për avokatin, ndërsa seanca është shtyrë për në datën 8 Prill, ditë kur Prokuroria pritet të lexojë konkluzionet e saj.

Në këtë seancë mungonte edhe vetë i pandehuri Balili, i cili me anë të një shkresë sqaroi se per arsye shëndetësore e kishte të pamundur të paraqitej. Ai kërkonte që të përfaqësohej nga avokati Theodhori Sollaku, i cili të hënën është parë në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda. Tv Klan u mundua të kontaktonte me të për të kërkuar një reagim, por e pati të pamundur. Gjithashtu këtë të martë mungonte edhe avokati i caktuar kryesisht nga gjykata një javë më parë Remzi Ponari.

Ai kishte sjellë një raport ku sqaronte se mungonte per arsye shëndetësore. Që prej datës 25 Shkurtit në këtë proces gjykata nuk ka mundur të zhvillojë një seancë normale. Në të gjitha herët shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatit Theodhori Sollaku. Kelmend Balili i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit” u vetëdorëzua pas negociatave me policinë më 15 Janar. Më pas ai kërkoi gjykim të shkurtuar, gjë e cila iu pranuar nga gjykata. Prokuroria e akuzon Kelmend Balilin për trafik droge, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas hetimeve është provuar që 47-vjeçari ka marrë pjesë në trafikun e dy ngarkesave me kanabis.

Tv Klan