Për të pestën herë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë pretencën për Emiljano Shullazin dhe katër të pandehurit e tjerë të bandës së tij, të akuzuar për gjobëvënie, grup të strukturuar kriminal dhe kanosje për shkak të detyrës.

Akuza nuk arriti të lexojë konkluzionet për këtë grup, për shkak të mungesës së dy prokurorëve që drejtuan hetimet,  Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi. Ky u fundit nuk ishte në sallë për arsye shëndetësore, ndërsa vendin e Imerajt e kishte zënë Besim Hajdarmataj.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda u kërkoi kohë togave të zeza që të njihej me dosjen, çka u bë shkak për shtyrjen e seancës. Avokati i Shullazit, Ravik Gura tha se Hajdarmataj është në konflikt interesi me klientin e tij, pasi emri i prokurorit është përmendur nga biznesmeni Ylvi Beqja, që është edhe dëshmitar i mbrojtur.

Procedura përcakton se kur një prokuror largohet ose heq dorë dosja, ajo i kalon një prokurori të zgjedhur me short. Praktikë që nuk u ndoq në caktimin e Hajdamatajt, të cilit iu ngarkua dosja me autorizim të drejtueses së prokurorisë Donika Prela.

Të pandehurit Emiliano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela nuk ishin të pranishëm në  seancë. Pretenca ndaj Emiliano Shullazit dhe të pandehurve të tjera po dështon që prej muajit Qershor, ndërkohë që në seancën e së martës policia kishte marrë në ruajtje ambientet e gjykatës.

Tv Klan