Nën masa të rrepta sigurie, u zhvillua këtë të martë, seanca e tretë e mbrojtjes për 9 imamët e akuzuar se kanë rekrutuar shtetas shqiptarë për të luftuar në Siri.

Si brenda ambienteve të sallës së gjyqit, edhe jashtë Gjykatës për Krimet e Rënda, u vu re prezenca e forcave të shumta të policisë, të mbështetura nga efektivë të grupit “Shqiponja” dhe qen antieksploziv.

Po ashtu, jashtë ambienteve të Gjykatës së Krimeve të Rënda ishin të grumbulluar edhe dhjetra mbështetës të imamëve të akuzuar.

Gerti Pashja, i akuzuari kryesor për rekrutimin e xhihadistëve, doli kundër prezencës së përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane në sallën e gjyqit. Ai shpërtheu në akuza ndaj qeverisë dhe Kryeministrit, duke thënë se e kanë manipuluar këtë çështje për interes të Amerikës.

I akuzuari tjetër, Zeqir Imeri, kërkoi që ata të mbrohen vetë gjatë procesit. Ndërsa imami Bujar Hysa kërcënoi duke thënë se, ata do të dalin të fituar nga ky proces.

Pasi dëgjoi pretendimet e të akuzuarve, gjykata vendosi të shtyjë për martën që vjen marrjen e vendimit.

Në total, prokuroria ka kërkuar 152 vite burg për 9 të akuzuarit.

Tv Klan