Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias u takua pasditen e sotme me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Tiranë.

Në këtë takim, Dendias shoqërohej nga ambasadorja greke në Tiranë dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës së Greqisë në vendin tonë. Në diskutime u ngritën çështjet për problemet e minoritetit grek në vendin tonë, të tilla si çështjet e pronës.

Në takim u shtrua edhe çështja e kalimit në kufi ku duhet të paraqiten testet negative. Sipas shtypit grek, Dule paraqiti kërkesat e minoritetit grek për të kaluar në anën tjetër të kufirit pa një test për Covid, si dhe të hapet pika doganore e Mavromatis.

Nga ana e tij, ministri Dendias është shprehur se do të shqyrtohen këto kërkesa, ndërsa ka premtuar se në vizitën e ardhshme që do të zhvillojë sërish në Shqipëri, do të shkojë në Himarë dhe në fshatin e Vunoit, origjinën e familjes së tij.

Në përfundim të vizitës pak para se të largohej nga Tirana, Nikos Dendias u takua edhe me Kryepeshkopin Janullatos. /tvklan.al