Gazetat italiane kanë vlerësuar gjestin e Shqipërisë që dërgoi në vendin fqinj 30 mjekë dhe infermierë për të ndihmuar kolegët në Itali, pasi vendi fqinj është goditur rëndë nga koronavirusi COVID-19.

Të përditshmet italiane kanë cituar mesazhin e Kryeministrit Edi Rama nga aeroporti i Rinasit, përpara nisjes së ekipit mjekësor shqiptar.

“Është koha që të ndihmojmë ne. Shqipëria nuk harron dhe dërgon mjekët e saj”, me këtë titull hapet e përditshmja “Il Giornale”.

Leksioni shqiptar përballë Europës ‘së madhe’. Nga aleatët e Veriut morëm egoizëm, nga Tirana 30 mjekë për të ndihmuar të sëmurët tanë”, shkruan gazeta tjetër “La Verita”.

Ekziston një Europë tirane, dhe një Europë tjetër Tirana. E para ka si kryeqytet Brukselin, provincë e Berlinit dhe është Evropa e Gjermanisë, e Holandës, e vendeve te veriut të cilët po bllokojnë çdo propozim të bërë për të vepruar menjëherë që të lehtësohet emergjenca. Në emër të ashpërsisë ose në të vërtetë në emër të punëve të tyre, thonë vetëm “JO” dhe duke patur në dorë zonjën Ursual von der Leyen, zonjën Christine Lagarde dhe janë duke e çuar kontinentin në terrorin e epidemisë dhe në katastrofën e varfërisë. Më pas është Europa Tirana, ajo e Shqipërisë, e varfër, e shqyer nga konflikte ende shumë të pranishme, e megjithatë kaq e pasur në krenari dhe kaq bujare”, vijon më tej artikulli i “La Verita”.

Europa merr shembull nga Shqipëria e vogël”, shkruan e përditshmja tjetër “Secolo”, e cila e nis artikullin me mesazhin e Kryeministrit Edi Rama duke thënë se Shqipëria nuk harron dhe nuk e braktis Italinë mike në momente të vështira.

Kurse “Il Tempo” shigjeton Bashkimin Europian përmes fjalëve të Kryeministrit shqiptar, kur thotë se Edi Rama i ka dhënë një mesazh BE-së me vendimin e tij për të dërguar në Itali ekipin mjekësor shqiptar. /tvklan.al