Nuk është hera e parë dhe as e fundit kur marrëdhëniet mes njerëzve të njohur, që vinë nga fusha të ndryshme dhe përfaqësuesve të medias, kryesisht shtypit të shkruar, kalojnë në fazë të acaruar. Një nga këto episode është regjistruar mes këngëtares Soni Malaj dhe gazetarit Arian Konomi.

Këngëtarja ka paditur Konomin me arsyetimin se i ka shkaktuar dëme imazhit të saj. Më tej kërkesa i është drejtuar gjykatës  dhe për më tepër është kërkuar një dëmshpërblim, i cili për gazetarin është i pajustifikueshëm, pasi nuk vëren asnjë moment ku imazhi i saj është denigruar.

Ajo çfarë ka indinjuar më shumë këngëtaren janë përmendja në shkrim e disa prej emrave të ish të fejuarve, të cilët revista “Shqip” pretendon se nuk cënojnë imazhin e Soni Malajt. Kjo e fundit në një reagim të saj konsideron se nuk është etike që dikush të vendoset në kopertinën e një reviste, kur vetë personazhi nuk e jep konsensusin dhe kur nuk ka dhënë asnjë intervistë për këtë revistë.

Çështja në fjalë i ka kaluar gjykatës, por ka dhe çështje të tjera, të cilat ende nuk na kanë treguar se anën e kujt ka mbajtur peshorja e drejtësisë.

Piro Çako dhe lidhja e përfunduar me Inva Mulën ishte një tjetër moment, ku shtypi u mbërthye në diskutime, po aq sa lidhjet e mëtejshme të zotit Çako.

Adelina Tahiri, këngëtarja që ka pushtuar faqet e gazetave për shfaqjen e saj në “Dancing ëith the Stars”, mbetet gjithashtu një pjesë, ku shtypi ka shkruar e mbushur faqe të tëra për lidhje të mundshme të saj ose jo, mes tyre dhe ajo me futbollistin Lorik Cana. Ky i fundit në një rast flagrant u përfol për një lidhje me Clara Morgan, por të dy personazhet deklaruan se ishte një trillim.

Sherret mes femrave në botën muzikore, pagesat e koncerteve, pamja, kurimi i imazhit, historitë e dashurisë të qëna e të paqëna gjenden kudo, por pak gjendet për profesionalizmin në skenë. Këtu shtypi nuk na furnizon shumë me çfarë ndodh në karrierën profesionale, kryesisht të këngëtareve.

Veç Arian Çanit, i cili në Zonë e Lirë përcjell shpesh klipet dhe publikimiet e reja, gazetat shkruajnë pak për këtë pjesë. Por fakt është që fotografitë e këngëtareve me veshje super seksi, thashethemet për historinë e dashurisë, operacionet dhe ndërhyrjet për përmirësimin e imazhit shesin më shumë se publikimet më të reja muzikore. Në fakt në Shqipëri ende nuk dimë se kush është këngëtarja më e paguar dhe ajo më e suksesshmja.

Përballja mes palëve mbetet shpesh e munguar. Reagimet dhe ballafaqimet publike zëvendësohen shpesh me ngjarje të reja, të cilat mesa duket nuk do të mungojnë asnjëherë. Duke bërë në këtë mënyrë që gjithmonë të kemi një palë të pakënaqur dhe një që mbrohet me të drejtën që gazetarët kanë për të shkruar, pa u përcaktuar se deri ku mund të ndërhyjnë në jetën private.

Pyetja që shtrohet është sesi do të zgjidhet ky raport. Për të diskutuar mbi këtë çështje në emisionin “Opinion” ishin të ftuar gazetari Arian Konomi, këngëtarja Çiljeta Xhilaga, gazetarja Anila Basha, kantautori Piro Çako, gazetari Robert Rakipllari dhe këngëtarja Adelina Tahiri.

Për padinë kundër tij nga këngëtarja Soni Malaj, Konomi u shpreh: “Është një çështje shumë e çuditshme. Unë kam dëgjuar dhe raste të tjera dhe në një farë mënyre gjej një bazë, ndërsa në rastin tim nuk gjej asnjë bazë të shëndoshë. Pastaj i mbetet gjykatës që të vendosë. Në gjyq nuk jam hedhur unë, por revista dhe shkrimi për Soni Malajn. Nuk dua as ti përmend emrin për t’i bërë publicitet se ka dy vjet që është harruar dhe kam përshtypjen se ky proces gjyqësor po bëhet pikërisht në këto momente mediatik se mos ndoshta këngëtarja kërkon që ta bëjë publike për të lançuar ndonjë hit të ri në treg”./tvklan.al