Zhvillimet politike të 48 orëve të fundit kur dukej se po arrihej një kompromis për zgjedhjen e krizës së zgjedhjeve dhe shtyrjen e datës së zhvillimit të tyre kanë qenë tema e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Një ditë më parë u duk se do të votohej në Parlament kodi i ri zgjedhor me 84 vota për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por ky kompromis mes palëve dështoi në momentin e fundit për arsye teknike që lidheshin me certifikatat e votimit.

Për  të diskutuar lidhur me këtë temë ishin të ftuar në studio përfaqësues të dy partive kryesore në vend. Bëhet fjalë për ministrin e Financave Ridvan Bode e zëvendëskryeministrin Ilir Rusmajli, përfaqësues të PD dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Pandeli Majko e nënkryetarin e PS, Petro Koçi, përfaqësues të PS.

“Ndodhemi në një moment delikat dhe ky moment diktohet nga përpjekjet që po bën maxhoranca. Edhe pse maxhoranca kishte deklaruar se nuk do të lëvizte nga data 20 Janar, nisur nga ngjarjet delikate pa praninë e opozitës apo interesat e vendit ne kërkuam që brenda afatit të gjendej një datë tjetër. Por u përballëm me një kërkesë të re për certifikata dhe mohimin e kartave të identitetit”, tha Bode.

“Kur flitet për ultimatum,e flitet për kushte që shfaqen papritur. Datën ne e kemi parë si rezultat të reformës zgjedhore. Me çështjen e certifikatave ne po kërkojmë një garanci. Ne po kërkojmë të ulemi dhe të gjejmë disa rrugë të përbashkëta”, tha Majko./tvklan.al  

Të ftuar: Ridvan Bode, Ilir Rusmajli, Pandeli Majko, Petro Koçi.