Avokatët: GJKKO vazhdon me paligjshmëri

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesat e bëra nga ish-Kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për konstatim të shuarjes së masës së sigurise.

Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë mbrojtja pretendoi se zbardhja me vonesë e vendimit që rikonfirmoi masat “detyrim për t’u paraqitur”, “ndalim për dalje jashtë shtetit” për Berishën dhe “arrest në burg” për Malltezin i ka bërë ato të pavlefshme.

Por gjykata i konsideroi të dyja kërkesat si të pabazuara në ligj, vendim që për avokatin e Sali Berishës, Genci Gjokutaj, është vazhdim i paligjshmërisë.

“Gjykata rikonfirmoi edhe njëherë shkeljet që ka bërë. Një reagim krejt i ftohtë dhe një vendimmarrje si të gjitha vendimmarrjet e tjera. Sigurisht kjo seancë ja vlejti për të dokumentuar shkeljen e radhës së gjykatës”.

Më herët gjykata rrëzoi edhe një tjetër kërkesë të Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

SPAK ka ngritur dyshime se ish-Kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, janë përfshirë në korrupsion në procesin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, akuza që këta të fundit i kanë mohuar me forcë.

Tv Klan