144 ushtarë të angazhuar, shpërthime municionesh në Peshtan

5 vatra aktive zjarri u regjistruan ditën e sotme në të gjithë Shqipërinë. Një shqetësim më vete për banorët dhe punonjësit zjarrfikës janë edhe shpërthimi i municioneve të armëve të grabitura nga depot në trazirat e vitit 1997 dhe të fshehura në Peshtan. Ata janë konstatuar fare pranë rrugës Fier-Cakran.

Gjatë ditës u desh ndërhyrja e helikopterit Kugar në pyllin me pisha në fshatin Gjorkos, pasi ndërhyrja me mjete dhe forca nga terreni ishte e pamundur.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 144 efektivë të Forcave të Armatosura,13 mjete dhe 3 zjarrfikëse. Pas disa operacionesh të kryera pasditen e së mërkurës, autoritetet njoftuan për shuarjen e zjarrit në në drejtim të Kreshpanit, në masivin me ullishte dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH.

Ndërkohë po vazhdon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve në masivin pyjor Plyk-Kraps-Gjorkos. Edhe në fshatin Hekal të Mallakastër situata është nën kontroll dhe po izolohet edhe vatra e fundit aktive.

Ndërsa është arritur të izolohet plotësisht zjarri në malin e Gjallicës në Shtiqen të Kukësit. Po ashtu sipas autoriteteve janë vënë tërësisht nën kontroll flakët dhe vatrat në fshatin Mandaj, në Helmas të Kavajës.

Në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj po vijon puna nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit.

Tv Klan