Janë shuar përfundimisht disa vatra zjarri në vendin tonë. Kështu bën me dije ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili përmes disa fotove në rrjetin e tij social Facebook paraqet përpjekjet e vazhdueshme të zjarrfikësve për të normalizuar situatën në zonat e prekura nga flakët.

Mësohet po ashtu se situata në Laç është e qetë dhe nën monitorim nga shërbimi pyjor. Fshati Delbnisht në MIlot nuk ka më probleme me zjarrin, e po ashtu Treblova në Selenicë.

Sipas ministrit, po punohet për izolimin e vatrës së zjarrit në fshatin Sinanaj të Tepelenës e po ashtu në Grazhdan të Finiqit.

Njoftimi i plotë:

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, gjatë ditës së sotme kanë bërë të mundur shuarjen përfundimtare të vatrave aktive të zjarrit në fshatin Delbnisht, në Njësinë Administrative Milot, bashkia Kurbin. Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike qe prej ditës së djeshme, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht. Momentalisht, situata është e qetë dhe po monitorihet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor. Gjithashtu është bërë e mundur shuarja e një vatre zjarri pranë superstradës Milot-Lezhë.

Në fshatin Treblovë, në bashkinë e Selenicës të qarkut Vlorë, zjarri është arritur të shuhet plotësisht. Fal ndërhyrjes në kohë me helikopter u bë e mundur shpëtimi i 4 shtëpive. Po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatin Jarua, bashkia Fier ku është shmangur rreziku për banesat. Në fshatin Sinanaj, në bashkinë Tepelenë, punohet nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit. Puna vijon edhe në fshatin Grazhdan, në bashkinë e Finiqit për normalizimin e vatrës pas riaktivizimit./tvklan.al