Këto janë momentet kur polumbarët nxjerrin nga ujërat e lumit Drino trupat e pajetë të dy punonjësve të OSHEE në Gjirokastër. Selfo Kallfa 52 vjeç dhe Ismet Isaraj 64 vjeç  ishin nisur për të parë një defekt në fshatin Asim Zeneli kur për shkak të motit të keq dhe errësirës mjeti me të cilin udhëtonin rrëshqiti duke përfunduar në lumë.

Dy elektriçistët nuk kanë mundur të dalin nga automjeti si pasojë e thëllësisë së ujit ndaj u desh ndërhyrja e polumbarëve nga Tirana.

Në lidhje me ngjarjen edhe kryeministri Rama dhe ministrja Belinda Balluku shprehën ngushëllimet për familjarët.

“Me keqardhje dhe dhimbje të thellë, njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të vyer të ekipit tonë të OSHEE, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë orëve të fundit të mbrëmjes së djeshme. Ismet Isaraj, 64 vjeç dhe Selfo Kallfa, 52 vjeç, me detyrë elektricistë në degën rajonale të OSHEE Gjirokastër, janë nisur për të lokalizuar defektin e linjës 600 kv të fiderit në radiostacionin e nënstacionit të Gjirokastrës. Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës, janë njoftuar menjëherë forcat e rendit dhe më pas forcat e specializuara polumbare, të cilat bënë të mundur gjetjen e trupave të tyre. Ismeti ka qenë 22 vite pjesë e kësaj familjeje dhe Selfo 34 vite, pasi e kishte nisur punën në moshën 18-vjeçare, aq vjeç sa është sot Fabiani, i biri i tij. OSHEE do të kujdeset për familjet e 2 punonjësve të rënë në krye të detyrës. Ne jemi të gjithë pranë tyre në këto momente tragjike dhe të dhimbshme.”

Ngushëllimit të Ministres Balluku iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkruajti: “Bashkohem me ngushëllimet e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për familjet e për kolegët e dy punonjësve të OSSHE që humbën jetën në krye të detyrës, si edhe u shpreh të gjithë mirënjohjen time e të qeverisë, të gjithë atyre mijëra shërbëtorëve të shtetit e të popullit, që në këto ditë me mot të jashtëzakonshëm punuan pa u kursyer e duke u gdhirë në fronte tejet të vështira, duke riparuar dëmet në energji e hapur rrugët e bllokuara nga stuhitë e dëborës”.

Dy elektriçistët punonin prej më shumë se 20 vitesh në OSHEE në Gjirokastër.

Klan News