Një lajm i hidhur vjen nga familja Mula. Artisti i Popullit dhe Nderi i Kombit, kompozitori, këngëtari dhe muzikanti Avni Mula ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 92-vjeçare.

Gjigandi i muzikës shqiptare Avni Mula lindi më 4 Janar të vitit 1928 në Gjakovë. Ai është kompozitor i disa prej këngëve më të njohura shqiptare si “Valsi i Lumturisë”, “Këngët e atdheut tim”, “Nënë moj do pres gërshetin” e shumë të tjerave.

Lajmin për ndarjen nga jeta e dha e bija e tij, sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula, e cila në një postim në rrjetet sociale shkruajti: “Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë!”

“Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë. Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020

Kush ishte Avni Mula?

Artisti i Popullit Avni Mula, këngëtar dhe kompozitor i suksesshëm, autor i mjaft këngëve fituese në aktivitete muzikore kombëtare. Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”. /tvklan.al