29 Marsi ditë zie kombëtare, politika bëhet bashkë në homazhe

Mëngjesi i së hënës nisi me një lajm të trishtë për politikën shqiptare. Deputeti socialist Bashkim Fino pas muajsh betejë me virusin Covid-19, nuk ia doli ta fitonte duke humbur jetën në moshën 59 vjeçare.

Në nder të kujtimit dhe veprave të tij, qeveria shqiptare e shpalli 29 Marsin ditë zie kombëtare, duke ulur flamujt në gjysmë shtizë.

Homazhet për ndarjen nga jeta të socialistit u zhvilluan në Pallatin e Kongreseve aty ku u bënë bashkë eksponetët më të lartë të politikës shqiptare.

Të pranishëm ishin dhe kolegë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të deputetit socialist. Një prej tyre Arta Dade, e cila kujtoi me nostalgji një periudhë të vështirë në vendin tonë, kur në krye si kryeministër ishte Bashkim Fino.

“Kam kujtime të pashlyeshme në mnyrë të veçantë të 97-ës, ku Bashkimi erdhi nga Gjirokastra dhe mori detyrën e kryeministrit.”

Në homazhe ishte dhe kryeministri, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

Kundërshtarët politikë përveçse anuluan aktivitetet, ishin të pranishëm në Homazhe për tu shprehur nga afër ngushëllimet familjarëve të deputetit socialist Bashkim Fino.

Nuk mungoi as prezenca e faktorit ndërkombëtar.

Karriera e Bashkim Finos në Partinë Socialiste është e hershme. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, kur do të zgjidhej kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit kombëtar.

Klan News