Guljelm Radoja nuk ia doli. Artisti i merituar ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin “Shefqet Ndroqi” ku ndodhej në gjendje të rëndë, i infektuar me Covid-19.

Lajmin e konfirmoi djali i tij Red Radoja, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruajti: “Pushofsh në paqe bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël…”

Aktori, i cili ishte infektuar me Covid-19 prej më shumë se një muaji, fillimisht ndodhej i shtruaj në reanimacionin e spitalit të Durrësit, por sëmundja i shkaktoi pasoja të rënda dhe ditën e martë u transportua drejt Tiranës, ku dhe u intubua.

Për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore pak ditë më parë pati reagime nga emra të njohur, si Bashkim Zahaj, Mevlan Shanaj e Monika Lubonja, që i drejtuan apel shtetit për ndihmë, që aktori të kurohej jashtë vendit.

Kush ishte Guljelm Radoja

Guljelm Radoja lindi në 2 Korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, filloi punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.

Më pas u largua nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role.

Roli i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar“./tvklan.al