Shuhet Kiço Blushi

Kiço Blushi, shkrimtari dhe publicisti i njohur është shuar në moshën 75-vjeçare. Autor i dhjetëra romaneve, dramave dhe tregimeve, skenarist i rreth 14 filmave, Blushi vazhdonte të ishte një zë kritik në publicistikë, me qindra e qindra artikuj dhe analiza kritike të botuara gjatë viteve të fundit në organe të ndryshme të medias.

Kiço Blushi do të mbahet mend gjatë jo vetëm si autori e skenaristi i njërit prej librave dhe filmave më të dashur për shqiptarët, “Beci ecën vetë”, por edhe për skenarët e filmave të tjerë lapidarë në kinematografinë shqiptare, si “Nëntori i dytë”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Pylli i lirisë”, apo komedia emblemë “Çifti i lumtur”.

Pena e Kiço Blushit ka sjellë ndërkohë për lexuesit edhe dhjetëra tituj romanesh, novelash e tregimesh, si dhe libra me poezi, si “Çatia e të gjithëve”, “Midis dy njerëzve”, “Pajtoni i fundit”, apo dhe romani i publikuar pak vite më parë “Gjuha e gjakut”. I lindur në Korçë në Gusht të vitit 1943, Kiço Blushi ka qenë dhe deputet në legjislaturën 1997-2001.

Për ndarjen nga jeta të Kiço Blushit reagoi edhe Presidenti Ilir Meta. Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti shprehet i pikëlluar për humbjen e tij, ndërsa thekson se Blushi do të mbretet përherë në kujtesën tonë si një nga përfaqësuesit më të denjë të “Brezit 1970”.

“I pikëlluar prej lajmit të trishtë, ndaj me Mirën, Benin dhe Martinin, por edhe me të gjithë miqtë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, dhimbjen e thellë për humbjen e shkrimtarit të shquar, krijuesit dhe veprimtarit publik, Kiço Blushi. Ai do të mbetet përherë në kujtesën tonë si një nga përfaqësuesit më të denjë të “Brezit 1970″: prozator, kineast, publicist dhe botues. Kiço Blushi luajti role të rëndësishme publike dhe qytetare në momente kyç të historisë shqiptare, me angazhimin e tij të pabujë dhe fisnik. I qoftë i përjetshëm nderimi ynë!”, shkruajti kreu i shtetit. /tvklan.al

Kategori
KulturëTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*