Solistja e parë e trupës së baletit shqiptar, Xoxa: Ajo i dha shumë Shqipërisë

Shuhet në moshën 88-vjeçare, solistja e parë e trupës së baletit shqiptar, Ganimet Vendresha. Ka qenë mbesa e saj, Ajola Xoxa, ajo e cila  përmes një postimi në Facebook bën me dije se Vendresha është ndarë nga jeta.

 “Gjyshja ime e mirë, Ganimet Vendresha, u nda nga jeta mbrëmë, e qetë dhe në paqe, siç e jetoi të gjithë jetën e saj, rrethuar nga njerëzit e dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e njeriu te bukur brenda dhe jashtë, dhe tek ne një dhimbje pambarim. Ajo i dha aq shume Shqipërisë së saj dhe kujtdo pati fatin ta kishte ne jetën e vet”, ka shkruar Xoxa.

Ndërkohë edhe kryebashkiaku, Erion Veliaj reagoi në rrjetet sociale për lajmin e hidhur.

“Ndarja nga jeta e Ganimet Vendresha , themeluese e teatrit  të Operas dhe Baletit në Shqipëri dhe shkollës së baletit në Tiranë, është një humbje e madhe për artin shqiptar”, ka thënë Veliaj.

Vendresha  studioi në Moskë, në shkollën e vallëzimit klasik në Teatrin Bolshoi. Së bashku me ekipin Bolshoi ajo luajti në turne në 9 Republika të ish-Bashkimit Sovjetik. Deri në vitin 1981  ishte solistja e parë në skenën e Teatrit të Opera dhe Baletit, vallëzoi në të gjitha premierat e përgatitura nga ekipi i Teatrit.

Homazhet do të kryhen  të premten 30 Shtator, nga ora 10:00 deri në 12:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit. 

Klan News