Besimtarët katolikë, në Vatikan dhe kudo në botë u dyndën nëpër kisha e për të ndezur qirinj dhe për tu lutur për Papa Françeskun, i cili u nda nga jeta një ditë pas Pashkës, mëngjesin e kësaj të Hëne në orën 7:35 siç njoftoi Selia e Shenjtë në Vatikan.

88-vjeçari vuante pasojat e pneumonisë së dysfishtë. Ai u shtrua për kurim në spitalin prestigjoz Xhemeli të Romës më 14 Shkurt ku qëndroi për 5 javë deri kur shfaqi shenja përmirësimi.

Prej 23 Marsit kur la spitalin, kreu i Vatikanit dukej në rrugë të mbarë kurimi, ndonëse në daljet e tij publike shfaqte shenja të një shëndeti të dobët, ndërsa në javën e tij të fundit të jetës, atë të Pashkës, mjekët e lanë të arsyeshme t’i hiqnin edhe tubat e oksigjenit që i ndihmonin frymëmarrjen.

Në mediat italiane qarkullojnë dyshime se shkak i vdekjes nuk ishte drejtpërdrejt pneumonia, por një hemoragji cerebrale. Kjo do të vërtetohet pas kryerjes së ekzaminimeve të trupit të tij.

Pavarësisht vështirësive shëndetësore, Ati i Shenjtë këmbënguli deri në ditën e fundit ta ushtronte deri në fund misionin e tij si prijës i besimtarëve të krishterë katolikë të mbarë botës. Në dy të dielat e fundit, atë të dafinave dhe më pas të Pashkës Papa nuk mungoi në meshë në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit e në karrige me rrota zbriti për të përshëndetur besimtarët e pranishëm, madje në ditën e tij të fundit zhvilloi vizitë private në rezidencën e tij edhe zv/presidentin amerikan JD Vance.

Tv Klan